Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, edhe gjatë së hënës ka komentuar rastin e Astrit Deharit, pasi mostrat e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, u gjetën pas më shumë se një viti që ishin raportuara si të humbura.
Ai ka pyetur se pse janë duke heshtur në Lëvizjen Vetëvendosje për mostrat e ish-aktivistit të tyre.
“Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave?”, ka pyetur Tahiri.
Tahiri ka thënë se nuk mund të fshihen nga e vërteta.
“Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Për këtë rast Tahiri ka reaguar edhe gjatë ditës së diel, ku e kritikoi partinë në pushtet për refuzimin e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për zhdukjen e mostrave.
“U vodhën e u zhdukën, më pas i’u vu zjarri zyreve të Institutit dhe vetëm atëherë u gjetë një pjesë e mostrave të Astrit Deharit. Zjarri i dytë i kaploi zyret e këtij institucioni shtetëror dhe tani u tha se u gjeten edhe mostrat tjera që i mungonin rastit.
Për çka u vodhën, a janë përdorur dhe a ka pasur përpjekje për manipulimin e tyre? Cili ishte qëllimi dhe të gjitha këto a i ndihmojnë zbardhjes apo mjegullimit edhe më të madh të rastit tragjedisë së Astrit Deharit. Për gjithë këto zhvillime dramatike asnjë fjalë nga Kurti, Konjufca e Haxhiu. Pra, vetëm heshtje e cila është e mjaftueshme për të kuptuar pse pushteti refuzon themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë rast. Mirëpo, hetimi parlamentar do të ndodhë patjetër dhe jo më larg se në dy javët e ardhshme me mbështetjen e dyzetë deputetëve të opozitës”, ka shkruar Tahiri gjatë së dielës.