Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” në mbledhjen e jashtëzakonshme ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e marrëdhënies së punës për kryeshefin ekzekutiv, Hasan Krasniqi.
Krasniqi u arrestua në Bullgari më 19 shkurt me kërkesë të INTERPOL-it. Ai dyshohej për kontrabandë me të mitur, si aksionar në një kompani transporti, duke dërguar sportistë në shtetin italian. Të njëjtit dyshohet se kur kanë hyrë në Itali në vitin 2022, nuk janë kthyer më në Kosovë.
“Bordi i Drejtorëve i KRU ”Gjakova” SH.A, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë; 06.04.2024, mori Vendim për shfuqizimin e Vendimit nr,975 dt.04.03.2024, mbi pezullimin e marrëdhënies së punës për Z. Hasan Krasniqi-Kryeshef Ekzekutiv i KRU ‘Gjakova’ SH.A-Gjakovë. Z. Hasan Krasniqi i sistemuar në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv i KRU ‘Gjakova’ SH.A-Gjakovë, është i obliguar që të paraqitet në punë nga dt.08.04.2024”, thuhet në njoftim.
“Me aprovimin e këtij vendimi nga Bordi i Drejtorëve Z. Hasan Krasniqi sot ka filluar punën e rregullt si Kryeshef Ekzekutiv pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Gjakova’ SH.A”.