Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, edhe gjatë së hënës ka komentuar rastin e Astrit Deharit, pasi mostrat e ish-aktivistit të Vetëvendosjes u gjetën pas më shumë se një viti që ishin raportuar si të humbura.
Ai ka pyetur se pse janë duke heshtur në Lëvizjen Vetëvendosje për mostrat e ish-aktivistit të tyre.
Ndaj tij ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka hedhur akuza të rënda ndaj deputetit Tahiri, duke i quajtur shpifje pretendimet e tij për rastin Dehari.
Lexo edhe: Tahiri kritikon VV-në: Çka është kjo heshtje për mostrat e rastit Dehari?
Ajo ka hedhur pikëpyetje nëse vetë Tahiri ka qenë i përfshirë në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
“Aludimi i tij në Konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe. Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave? Të gjitha këto dyshime që i mundësoi z. Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Haxhiu u shpreh se “Motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për ne, dhe për këtë familja e Astrit Deharit kanë kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet Prokurori”.
Sipas saj reagimi i Tahiri është vetëm për ta larguar vëmendjen dhe jo për të hedhur dritë në rastin Dehari.
“Abelard Tahiri po ashtu thekson së që nga zhdukja e mostrave u vështirësua dhe mjegullua hetimi në rastin Dehari edhe pse ai e di shumë mirë që analizat e atyre mostrave janë bërë që nga koha kur është vrarë Astriti dhe raportet për të njëjtat tashmë janë në Prokurori.Zërat e tillë vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër, dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Por, le të shpresojmë që deklarata e tij mund t’i kontribuojë të vërtetës për zhdukjen e mostrave, siç potencon ai “që nga pranvera e vitit 2022″, tha ajo.