Avni Kastrati, kryeshef në ASK, ka thënë se ndonëse nuk është e definuar me ligj, por gjoba maksimale në rast të refuzimit për t’u regjistruar do të jetë në 2000 euro.
Kështu tha ai në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, ku u diskutua për regjistrimin e popullsisë.
“Në ligj nuk janë të definuar ekzakt nga deri, deri në 2000 është në maksimum. Kur regjistruesi vjen te ju për ta zhvilluar intervistën, janë disa arsye pse nuk zhvillohet intervista, kur ju refuzoni shkon te ai maksimumi. Nëse je ti kategorik që nuk dua të jem pjesë e regjistrimit, nëse nuk jeni pjesë e regjistrimit do ta keni më të vështirë që të merrni shërbime. Regjistrimi është një e mirë për të gjithë edhe për individë edhe për vendbanimin, lagjen…”, tha Kastrati.
Ai njoftoi se afati i regjistrimit do të jetë deri më 17 maj 2024, ora 24:00.
Ndërkaq, sa i përket regjistrimit për diasporë, Kastrati thotë se është online, teksa njofton se janë disa pyetje bazike, por sipas tij, shumë të rëndësishme.
Kastrati potencoi se përgatitjet teknike janë në nivel, ato janë testuar disa herë.
Kurse sa i përket pjesës veriore të vendit, Kastrati thotë se Lista Serbe nuk mund ta bllokojë procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Fushata komunikuese ka qenë e mjaftueshme për të gjitha komunitetet, përfshirë edhe komunitetin serb. Procesi do të ecë përpara, nuk do të ndalet”, shtoi ai.
“Procesi është gjithëpërfshirës dhe grumbullimi i të dhënave është një burim i shkëlqyer për të gjitha institucionet që bëjnë politika apo shërbime, sepse një gamë e tillë e të dhënave të freskëta, i mundëson që të shihet gjendja…”.
Ai shton se ndryshe nga herët e tjera, në pyetësor do të kërkohet edhe numri personal.
“Kësaj here do ta kërkojmë edhe numrin personal… nuk është e dhënë konfidenciale”.