Dita e Kushtetutës, Haradinaj: Kemi një qeveri që vazhdimisht e ka shkelur Kushtetutën

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Ditën e Kushtetuesës ka thënë se "kemi një qeveri që vazhdimisht e ka shkelur Kushtetutën". Ndërsa, për 25-vjetorin e Betejës së Koshares, i ka nderuar heronjtë që ranë për liri, të cilët sipas tij, "me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri"

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka kujtuar dy datat e rëndësishme që janë sot, Dita e Kushtetutës dhe 25-vjetori i Betejës së Koshares.

Lidhur me Ditën e Kushtetutës, Haradinaj ka thënë se kemi një qeveri që “vazhdimisht ka shkelur Kushtetutën”, dhe i ka bërë thirrje asaj “që të tërhiqet nga sjelljet antikushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të shtetit”.

Haradinaj ka thënë se lufta çlirimtare kishte disa momente vendimtare, e një prej tyre, sipas tij, ishte Beteja e Koshares.

Kreu i AAK-së ka deklaruar se thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri ishte ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për luftëtarët e UÇK-së.

“Në 25-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë të rënët, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri. Në po të njëjtën datë kur nderojmë luftën tonë çlirimtare dhe heronjtë e saj, shënojmë edhe Ditën e Kushtetutës. Republika e Kosovës ka Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave si dhe është garantuese e parimeve të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë – gardiane e fortë ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me qasje autoritare”, ka shkruar Haradinaj.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi, jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Lexo më shumë: 25 vjet nga Beteja e Koshares dhe thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë, jo vetëm për marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe të krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore e të tjera.

Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit.

Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të gjithë qytetarëve të vendit.

Lexo më shumëSot Dita e Kushtetutës

Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë.

Kushtetuta e Kosovës, gjithashtu, mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika