Shefi i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se thirrjet e Listës Serbe që të bojkotohet procesi i referendumit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Petkoviqi, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se kjo deklaratë e saj vjen pasi nuk “mundet t’i bëjë ballë suksesit të Vuçiqit në Paris të Francës”, duke thënë se po përdor “gënjeshtra brutale”.
“Kur nuk e duron dot suksesin e Vuçiqit në Paris, Vjosa Osmani përdor gënjeshtra brutale. Si nuk e pa presionin kur Vuçiq ftoi serbët nga Kosova të nënshkruanin një peticion për largimin e kryetarëve të komunave në veri. Sapo u zbulua bashkëpunimi i Kurtit me referendumin, fajin e kishin Vuçiq dhe Lista Serbe!”, ka shkruar Petkoviq.
Kад не може да поднесе Вучићев успех у Паризу, Вјоса Османи се служи бруталним лажима. Kако није видела притисак кад је Вучић позвао Србе с KиМ да потпишу петицију за смену лажних градоначелника? Чим је разоткривена Kуртијева подметачина са референдумом, крив им је Вучић и СЛ! https://t.co/ejSAY2Cufd
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) April 9, 2024
Ndryshe, sot, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media, ka kërkuar që serbët në veri të vendit të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës Serbe, të cilët kërkuan që të bojkotohet procesi i referendumit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri.
Sipas Osmanit, bojkoti vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Natyrisht Kushtetuta jonë dhe ligjet e kanë krijuar bazën ligjore se bashku me një udhëzim administrative të nxjerrë nga Ministria përkatëse që qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës, në bashkëpunim me aleatë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos u cenohet në as një moment kjo e drejtë dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione”, ka thënë Osmani pas homazheve në përvjetorin e Betejës së Kosharës.
“Për fat të keq, edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuçiq, ai që nuk e mban fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron, por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të paligjshëm ndaj serbëve që të mos marrin pjesë në një proces të tillë”, ka vijuar ajo.