“Ai njeri që shkel Kushtetutën, është super kriminel”.
Janë fjalët që thuheshin në vazhdimësi nga kryeministri, Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë.
Por, në më shumë se 3 vite në këpucët e shefit të ekzekutivit, rastisi që jo rrallë herë akti më i lartë juridik i vendit të shkelet edhe nga vet qeveria që ai drejton.
E në 16-vjetorin e Kushtetutës, kritikat për ekzekutivin kanë qenë të njëpasnjëshme nga ana e opozitës.
Nga PDK vlerësohet se respekti ndaj aktit më të lartë juridik të vendit vetëm sa ka rënë.
“Është e papranueshme që të bëhen 16 vite e ne si shtet të shënojmë regres në respektimin e një dokumenti kaq të rëndësishëm që vazhdon të jetë ABC-ja e gjithë mekanizmave të rëndësishëm të Kosovës. Në vend që të shohim progres dhe të aspirojmë progresin në respektimin e këtij dokumenti të jetë edhe më i thellë, fatkeqësisht regresi ka qenë dominant. E nëse do duhej të kërkohej një vlerësim, kjo qeveri ka qenë shkelësja më e madhe e kushtetutës”, ka deklaruar Blerta Deliu, deputete e PDK-së.
E sipas LDK-së, ndikimi i shkeljeve nga ana e ekzekutivit ka pasur ndikimin e vet.
“Ata nuk dinë se si funksionon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe i kisha ftu ta lexojnë sepse duhet të mbështetemi në të që ta kemi një shtet demokratik dhe të përparuar. Vendit i ka kushtuar shumë sepse ligje shumë të rëndësishme janë ende që i ka kthy, ligji për paga, për zyrtarë publik e shumë të tjerë. I ka ngecë shumë procese”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së.
Megjithatë, nga AAK vlerësohet se Qeveria Kurti ka lënë gjurmën e saj në histori.
“Anti-kushtetutshmëria, shkelja e ligjeve dhe arbitrariteti i numrave e ka sjellë këtë Qeveri që të jetë dhe të mbahet mend në historinë e Kosovës si qeveria e shkeljeve më të mëdha kushtetuese, si qeveria e cila ka pasur më shumti ligje në trajtim në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Besnik Tahiri, Shef i GP të AAK-së.
Dy shkeljet e para ishin bërë në kohën e pandemisë për kufizimin e lirimeve themelore dhe imponimin e karantinës si dhe kundërvajtjeve administrative gjatë pandemisë.
Vazhdës së shkeljeve i ishte bashkuar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci pas ndërhyrjes në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim. Këtë e kishte konstatuar edhe Kushtetuesja më 30 dhjetor të vitit 2022.
Në hapa të tillë kishte kaluar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me hartimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili sipas Kushtetueses, binte ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit.
Dy shkeljet pasuese me dy ditë dallim në kohë qenë shkarkimi i Bordit të RTK-së dhe Ligji për zyrtarët publik, i dërguar në Kushtetuese nga PDK e LDK.
Ligji tjetër anti-kushtetues kishte qenë edhe ai për çmimet tavan.