Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.
Në lidhje me këtë, Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Beslimi, ka thënë se ky votim mund të krijojë precedent të rrezikshëm edhe për Ukrainën e Gjeorgjinë.
Në një postim në Facebook, Kadiu ka thënë se skenar i ngjashëm kishte ndodhur edhe me Rusinë, por institucionet e BE-së e patën dënuar veprimin.
“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së”, ka shkruar Kadiu në Facebook.
Sipas Kadiut, ky votim nuk reflekton “realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza të qytetarëve nga komuniteti serb” teksa ka shtuar se qytetarët serbë po vazhdojnë të pajisen me dokumente të Kosovës dhe interesimi është i lartë.
“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumenta të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për t’i përmbushur kërkesat e tyre. Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi”, ka vijuar Kadiu.
Tutje, ai ka theksuar se propozimi i tillë ka ndikim negativ edhe për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”.
Ndryshe, sot, Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.
Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.
Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe.
Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.
Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.
Përveç qytetarëve të Kosovës që e siguruan lëvizjen e lirë këtë vit, qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e kishin atë për më shumë se dhjetë vjet.
Por, kur janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë, është vendosur që liberalizimi të mos vlejë për ata që kanë pasaporta të Serbisë e që banojnë në territorin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.
Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi.
Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.
Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.
Raportuesi Nemec ka shprehur qëllimin që procedura për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të PE-së, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.