Imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Bahri Sejdiu, ka diskutuar për rëndësinë e festimit të Fitër Bajramit dhe ndryshimin e festës që sjell çdo vit koha.
I ftuar tek emisioni “Rreth e Rrotull”, Sejdiu ka thënë se dita e Bajramit është një ditë e gëzimit dhe se vendi ynë është në një gjendje më të mirë sesa kur ka qenë periudha e paraluftës dhe menjëherë pasluftës.
“Pas një muaji agjërim të Ramazanit dhe angazhimeve tona. Është një ditë e gëzimit dhe bashkëpunimit që kemi pasur gjatë muajit të Ramazanit. Në veçanti, Festa e Bajramit e ka gëzimin dhe festimin e veçantë në të gjitha trevat shqiptare. Jemi në një gjendje më të mirë kur kujtojmë peripetitë dhe vështirësitë e para luftës dhe pasluftës kur kemi dalë nga një shkatërrim prej luftës që na u është bërë”, shtoi Sejdiu.
Sipas Imamit të Xhamisë së Madhe në kryeqytet, shqiptarët kanë avancuar në gjitha aspektet, pavarësisht se vështirësitë janë evidente, por që, sipas Sejdiut, ka ndikuar fati i historisë.
“Shqiptarët si asnjëherë më parë janë në një gjendje më të mirë në çdo aspekt, qoftë aspektin kombëtar, kulturor, fetar dhe gjitha fushat tjera. Vështirësitë janë evidente në çdo lëmi, sepse kemi qenë një popull I ndarë dhe I cunguar padrejtësishtë prej fatit të historisë së kaluar të popullit tonë. Ky Bajram ka qenë më i mirë se të tjerët më herët dhe në të ardhmen do të kemi festa më të mira dhe të organizuara më shumë se kjo”, shtoi ai.