Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka reaguar në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj, nga bashkëshorti i saj.
Halimi ka thënë se vrasja e grave në vend po merr karakter alarmues, duke theksuar se reagimi i shoqërisë dhe i shtetit është indiferent dhe i plogësht.
“Gratë vriten nga gjuha, përditshmëria, reagimi urrejtës e misogjenist ndaj tyre e heshtja për të dënuar atakimin e dinjitetit të saj. Vrasja është vetëm vazhdimësia e pranimit të dhunës simbolike që gratë e përjetojnë çdo ditë. Vrasja e grave në Kosovë po merr karakter alarmues, ndërsa reagimi ynë si shoqëri e shtet është indiferent dhe i plogësht!”, ka shkruar Halimi, teksa ka shtuar se gratë po “vdesin edhe në duart e shtetit!”
Pasditen e së premtes, një 21-vjeçare u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar, në Qendrën për Punë Sociale të Ferizajt, i cili të plagosur ka lënë edhe vëllain e saj.