Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të hënën ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.
Ajo ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë ka shprehur bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.
Gjithashtu, Osmani ka thënë se Kosova llogarit në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi e ka njoftuar presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.
Në këtë takim, ndër të tjera është diskutuar edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonës verore, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.