Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim si të dyshuar për dhunë në familje, xhudistin Akil Gjakova.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në lokalizimin dhe arrestimin e Gjakovës.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, vijon njoftimi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar arrestimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj xhudistit kosovar.
Është bërë e ditur se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Në një përgjigje për Dukagjinin, zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka dhënë më shumë detaje.
“Prokurori i shtetit ka pranuar një procesverbal te një kontesit civil nga gjyqtari dhe është njoftuar nga avokatja e palës së dëmtuar se ka element të veprës penale të dhunës në familje. Menjëherë është autorizuar Policia e Kosovës nga Prokurori i shtetit për arrestimin e të dyshuarit dhe marrjen e masave ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.