Brenda pak ditësh në Kosovë kanë ndodhur dy vrasje të grave, një në Ferizaj nga ish-bashkëshorti dhe një në Pejë nga bashkëshorti.
Për këtë ka dalë me njoftim Policia e Kosovës, ku thuhet se rastet e dhunës në familjes mbetën shqetësues ndonëse ka pasur rënie në vitin e fundit.
“Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet e saja ligjore përmes planeve zhvillimore strategjike dhe planeve operacionale në vazhdimësi ka ndërmarr veprime në parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë edhe ndërmarrjen e masave konkrete në sensibilizim dhe parandalim të rasteve të dhunës në familje.
Rastet e dhunës në familje kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shqetësuese, edhe përkundër faktit se rastet e tilla në vitin e fundit kanë shënuar rënie nga 2.757 raste në 2.460 raste, ose rënie prej 10.77% krahasuar me vitin paraprak, raste këto të cilat në këtë fillim vit vazhdojnë të mbeten edhe më tej shqetësuese”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se në të dy rastet, vrasja në Ferizaj e Pejë, Policia ka marrë veprimeve konkrete, duke i arrestuar të dyshuarit dhe duke i dërguar para organeve të drejtësisë.
“Ç’do herë kur flitet e raportohet për dhunën në familje, natyrisht se shfaqen parasysh shumë sfida, me të cilat përballen sot mjaft familje, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, pasi dhuna në familje shkatërron jetët e njerëzve, sikurse ndodhen edhe dy rastet e fundit ai i vrasjes së rëndë në Ferizaj me datën 12.04.2024 dhe rasti i ndodhur sot 16.04.2024 në Pejë. Në të dy rastet Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime konkrete duke arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit i ka dërguar para organeve kompetente të drejtësisë.
Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë ç’do herë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin dhe koordinim me institucionet relevante siç janë, qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë. Në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë”, thuhet më tej në njoftim.