Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar ndaj vrasjes së një gruaje nga Peja të martën nga burri i saj.
Në një postim në “X”, Szunyog ka thënë se Kosova duhet të ndërmarrë veprime urgjente për mbrojtjen e viktimave të dhunës, duke thënë se ndër masat që duhet të ndërmerren janë hetimet e shpejta, gjykimet në kohë dhe dënime efektive.
“Sot u zgjuam me lajmin tronditës për një tjetër femicid. Kosova duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe vendimtare për të siguruar: parandalimin dhe mbrojtjen e grave viktima të dhunës, hetime të shpejta, gjykim në kohë të çështjeve dhe dënim efektiv”, ka shkruar Szunyog.
Today, we woke up to the shocking news of yet another femicide.#Kosovo must take urgent & decisive action to ensure:
– prevention & protection for women victims of violence.
– prompt investigations, timely adjudication of cases & effective sentencing.The time to act is now.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) April 16, 2024
Sot, një grua 43-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte dënuar më parë për dhunë në familje.
Tani të tre fëmijët e tyre janë në kujdesin e familjarëve të tyre ndërsa i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.
Ky është rasti i dytë në pesë ditët e fundit, e vrasjes së grave në Kosovë.
Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Për vrasjen e saj është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, të cilit autoritetet ia kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.