Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis ka thënë se gjatë punës së përgatitjes së raportit për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Bakojanis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheq BE-ja teksa shtoi se kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.
Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.
“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve. Kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë me kriteret e anëtarësimit, ata kundërshtojnë vetë idenë e shtetësisë së Kosovës. Do ishte më guximtare po të kishin vendosur të qëndronin anash. Raporti nuk paraqet raporte sa i përket shtetësisë”, tha Bakoyannis.
Ajo tha se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë. “Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.
Ndërkohë, Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Lufta jonë nuk është për shtetet, por për të drejtat e individëve. Ne po mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve dhe etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për mbi 1.6 milion njerëz, plagët e të cilëve ende po shërohen dhe janë të obliguar të krijojnë një të ardhme të përbashkët. Kosova është gati dhe meriton të pranohet në Këshillin e Evropës, por duhet të sigurojë një mbrojtje të duhur për komunitetin serb”, tha Bulai si përfaqësues i grupit, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës
Edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.
Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës