Përfaqësuesi i Kosovës në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës, deputeti i Kosovës nga komuniteti turk, Enis Kervan, në fjalën e tij ka kërkuar votat nga Asambleja e Përgjithshme që Kosova të anëtarësohet në (KiE).
Nga delegacioni i Kosovës ka folur i pari deputeti Kervan. Ai ka thënë se Kosova ka kryer të gjitha detyrat e kërkuara për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Ne kemi bërë të gjitha detyrat e kërkuara. Si vend multietnik kemi respektuar të gjitha pakicat dhe kemi punuar vazhdimisht”, ka thënë Kervani në fjalën e tij.
Duhet kujtuar se pas Kervanit do të flasë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci.
Nga afër po përcjell punimet e Asamblesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila është e shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi.