Pas votimit të suksesshëm për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës(KiE), ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke falënderuar në veçanti Partitë Popullore Evropiane(EPP).
Përmes një njoftimi në Facebook, LDK ka thënë se lajmi për votim në KiE është moment historik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës i gëzohet lajmit të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky është moment historik i konsolidimit dhe integrimit të shtetit të Kosovës përkrah shteteve demokratike perëndimore. LDK mirëpret dhe aprovimin final nga Komiteti i Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të KE-së në maj të këtij viti”.
Tutje, në njoftim thuhet se “LDK në veçanti falënderon dhe i është mirënjohëse Partive Popullore Evropiane në këtë vendim historik për t’u njohur kjo e drejtë qytetarëve tanë. E drejta e Kosovës dhe popullit tonë për vend të barabartë mes popujve dhe institucioneve evropiane është e drejtë historike. Anëtarësimi ynë i shërben demokracisë dhe lirive njerëzore në rajon dhe më gjerë. LDK do të angazhohet fuqishëm në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, në BE e në NATO”, thuhet në njoftimin e LDK-së.