Tashmë ka nisur marshi protestues për gruan e vrarë dje në Pejë, ku po dyshohet se bashkëshorti i saj e kreu vrasjen.
Pjesëmarrja në këtë marsh është e lartë.
Përmes pamjeve të siguruara nga Dukagjini shihet se shumë qytetarë kanë zgjedhur këtë të mërkurë të bëhen pjesë e këtij marshi.
E pranishme në marsh shihet të jetë dhe vajza e së ndjerës.
Gazetarja Dea Dedinca, në një lidhje direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka treguar se ky marsh ka vazhduar deri tek objekti i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Qytetarët që nuk kanë mundur të jenë pjesë e marshit, për shembull nxënësit, kanë dalur në dritaret e shkollave për ta parë atë nga afër.
Qytetarët kanë kërkuar trajtim më dinjitoz të këtij rasti nga organet e drejtësisë.
Ka pasur edhe shumë qytetarë nga qytetet tjera por edhe nga diaspora që iu kanë bashkangjitur këtij marshi, përfshirë këtu vende si Maqedonia e Veriut dhe Zvicra.
Kujtojmë që sot në Kosovë është ditë zie, në kujtim të të gjitha vajzave dhe grave të vrara në Kosovë.
Ky vendim u mor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve të fundit, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë.
Gjykata Themelore në Pejë, sot ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit, Edmond Lajqi për vrasjen e gruas së tij në Pejë.
Lexo më shumë: Një muaj paraburgim ndaj Edmond Lajqit për vrasjen e gruas së tij në Pejë
Edmond Lajqi po dyshohet për vrasje të rëndë e po ashtu edhe për armëmbajtje pa leje.