Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve të luftës, është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.
Kështu ka thënë Murati, teksa ka folur për kundërshtimin nga ana e veteranëve për miratimin e Projektligjit, përmes të cilit rritet paga minimale në Kosovë.
Ai gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka shtuar se fshirja e të njëjtit nen është bërë nga vullneti politik i atëhershëm.
“Neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë në vitin 2017. Fshihet neni 18 dhe kësisoj bëhet shkëputja e pagës së veteranit”, është shprehur Murati.
Ministri Murati ka theksuar se lista e veteranëve të luftës duhet të pastrohet.
“Duhet të bëhet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejtë ata që njëmend kanë luftuar, duhet të bëhet diferencimi”, është shprehur Murati.
Një numër i madh i veteranëve të UÇK-së kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në kohën kur pritej të hidhej në votim Projektligji për ndryshimin e pagës minimale, i cili nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Nga 61 deputetë që i ka në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, në seancë kishin marrë pjesë vetëm 51, ndërkaq një nga deputetët e tyre, Fatmir Humolli, nuk kishte votuar për ndryshimet e projektligjit për pagën minimale.
Protesta ka eskaluar kur protestuesit janë përpjekur që të hyjnë në ndërtesë të kuvendit. Dy policë dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar në protestë.
Veteranët nuk largohen nga dyert e kuvendit, policia s’i lë të hyjnë brenda