Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj adminit të grupit “AlbKings”.
Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e prokurorisë Laureta Ulaj për portalin Dukagjini.
“Ju njoftojmë se prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në gjykatën kompetente”, tha Ulaj.
Gjatë ditës së djeshme, personi i dyshuar ra në prangat e policisë nën dyshimin për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, ku ishte ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, u tha në njoftim.