Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, është takuar me ministrin e Forcave të Armatosura të MB-së, James Heappey.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas njoftimi të zyrës së kryeministrit, thuhet se temë diskutimi ishin marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik”, thuhet në njoftim.
Duke biseduar për çështjet e sigurisë, janë theksuar sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.
“Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse”, është shprehur Kurti.
Po ashtu, i pari i ekzekutivit ka përmendur ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për pesë mijë refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre.
Kryeministri Kurti ka shprehur falënderime ndaj Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat, të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.
Ndryshe, vizita e Kurtit në Mbretërinë e Bashkuar vjen pas asaj që kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrës.