Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, si dhe përkushtimin ndaj orientimit pro-evropian, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Sipas njoftimit të publikuar nga Fondacioni, Presidentja Osmani është vlerësuar për qëndrimin politik dhe orientimin e saj të qartë evropian, duke e mbrojtur atë me përkushtim, pavarësisht situatës delikate të sigurisë në rajon dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga Serbia.
“Presidentja Osmani është vlerësuar edhe për punën dhe përkushtimin e saj për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.”
Tutje, në njoftim, Presidentja vlerësohet për qëndrimin e saj politik të ndjekur me bindje të plotë ndaj rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, e cila në angazhimin e saj mbështet filozofinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili u nderua me po këtë çmim, 20 vjet më parë.
Laureatët e këtij çmimi përfshijnë personalitete të ndryshme botërore, përfshirë edhe: ish-Kancelaren Angela Merkel, ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe Presidentin historik të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova.