Analisti, Ylli Hoxha, ka thënë se Këshilli i Evropës e përcakton se Asociacioni është kusht për Kosovën por jo edhe parakusht për anëtarësim në këtë organizatë.
Hoxha, më tutje ka thënë se bashkësia perëndimore nëse ka intencë të ndëshkojë Serbinë për sjelljet e destruktive, mënyra më elegante do të ishte avancimi i subjektivitetit të Kosovës duke e pranuar në KiE.
“Kjo është mundësia e artë për ta e cila do t’i digjte Serbisë më shumë se çdo lloj sanksioni tjetër”.
“Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje e cila varet jo vetëm nga pala kosovare zbatimi i saj por varet edhe nga pala tjetër Serbia dhe Bashkimi Evropian, është një proces i cili nuk mund të bëhet parakusht për një proces votimi i cili është duke ndodhur brenda këtij muaji”, ka thënë Hoxha.
Hoxha në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ka thënë se, edhe sikur të donte Kosova tani të formonte Asociacionin, parakushtet elementare për të nuk ekzistojnë.
“Për të funksionalizuar Asociacionin, duhen kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të cilët nuk janë tani për tani, procesi i shkarkimit të kryetarëve është stopuar dhe sikur të donte ta bënte, kjo është e pamundur”.
“Unë konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet të qëndroj aty ku ka qenë, duhet të insistojë që në Këshill të Evropës të hyhet sipas raportit të Dora Bakoyannis, pa shtesa, pa ndajshtesa dhe në këtë argument shtesë. Duhet të përdoret obstruktiviteti i Serbisë i cili është manifestuar jo vetëm në paraqitjen e saj në Këshillin e Evropës duke sabotuar, duke shkelur pikën katër të marrëveshjes por edhe sjellja e postfestum me arrestimin e policëve me ndalimin e qytetarëve të Kosovës, e cila tregon një qasje obstruktive të Republikës së Serbisë dhe një mungesë intence për të i’u nënshtruar marrëveshjes të cilës thuhet se i është përkushtuar”, ka thënë Hoxha.