Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i pari që duhet të largohet nga lista e veteranëve të luftës.
Ai në një konferencë për media, ka pranuar se kjo listë duhet të pastrohet, dhe sipas tij, kryeministri Kurti duhet të jetë shembulli i parë.
“Veteranët duhet të jenë të përfshirë në pagën minimale ashtu siç ka qenë në fillim. Të gjithë kemi thënë se ka probleme me listat e veteranëve dhe ato lista duhet të pastrohen, dhe kushdo që s’ka qenë veteran e që është pjesë e saj duhet të hiqet ajo, por i pari që duhet të hiqet si veteran i rrejshëm është Albin Kurti, sepse është kryeministër i Kosovës e s’mundet të jetë veteran një njeri, i cili asnjëherë nuk e ka veshur në asnjë minutë uniformën e UÇK-së”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se, ndonëse i pari i qeverisë mund t’i takojë ndonjë kategorie tjetër, por jo edhe të quhet “veteran luftëtar”.
“Mund të jetë në ndonjë kategori tjetër, sepse ka qenë i angazhuar në zyrën e Adem Demaçit, por jo ta quajë vetën veteran luftëtar. Ai më shumë se një vit qeveri, asnjë hap se ka ndërmarrë për këtë çështje”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve të luftës, është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.
Kështu ka thënë Murati, teksa ka folur për kundërshtimin nga ana e veteranëve për miratimin e Projektligjit, përmes së cilit rritet paga minimale në Kosovë.
Ai gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka shtuar se fshirja e të njëjtit nen është bërë nga vullneti politik i atëhershëm.
“Neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë në vitin 2017. Fshihet neni 18 dhe kësisoj bëhet shkëputja e pagës së veteranit”, është shprehur Murati.
Ministri Murati ka theksuar se lista e veteranëve të luftës duhet të pastrohet.
“Duhet të bëhet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejt, ata që njëmend kanë luftuar, duhet të bëhet diferencimi”, është shprehur Murati.
Një numër i madh i veteranëve të UÇK-së kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kohën kur pritej të hidhej në votim Projektligji për ndryshimin e pagës minimale, i cili nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Nga 61 deputetë që i ka në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, në seancë kishin marrë pjesë vetëm 51, ndërkaq një nga deputetët e tyre, Fatmir Humolli, nuk kishte votuar për ndryshimet e projektligjit për pagën minimale.
Protesta ka eskaluar, kur protestuesit janë përpjekur që të hyjnë në ndërtesë të kuvendit. Dy policë dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar në protestë.
Ministri Murati: Duhet të pastrohen listat e veteranëve të luftës