Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Unionin e Oksfordit në Britaninë e Madhe, ka folur për raportet e Kosovës me Serbinë.
Gjatë fjalimit të tij Kurti është shprehur se ndryshimin progresiv në politikën serbe mund ta sjellë vetëm populli serb.
Ai ka thënë se si kryeministër i Kosovës, nuk mund ta ndihmojë Serbinë që të shënoj progres.
Sipas tij, Kosova mund të ecë përpara pavarësisht njohjes nga Serbia
“Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndër të tjera ai tha se njohja nga Serbia është e mirëseardhur dhe se është i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, vizita e Kurtit në Mbretërinë e Bashkuar vjen pas asaj që kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrës.