Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Rusia nuk do të jetë në gjendje të mbajë aftësitë e saj ushtarake për shkak të sanksioneve të ashpra perëndimore.
Vendet perëndimore e kanë goditur Rusinë me një sërë sanksionesh që nga pushtimi i saj në Ukrainë.
“Rusia nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në përparimin e botës, në progresin ekonomik dhe teknik. Kjo po bëhet më e qartë çdo ditë e më shumë dhe është një dëm i madh”, ka thënë Scholz në një konferencë për media, shkruan BBC.
Në vizitën e tij të parë në një vend të NATO-s që kufizohet me Rusinë, kancelari është bashkuar me liderët nga Estonia dhe Letonia në premtimin për të forcuar krahun lindor të NATO-s, duke u zotuar për të forcuar mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Lituaninë.
“Si aleatë në NATO, ne jemi të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s në rast të një sulmi”, shtoi Scholz, duke folur së bashku me presidentin Lituanez Gitanas Nauseda, kryeministrin e Estonisë Kaja Kallas dhe kryeministrin Letonez Arturs Krisjanis Karins.
Ndryshe, Scholz,bashkë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron në mbrëmjen e së shtunës së 29 majit, i kishin kërkuar Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të zhvillojë negociata me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
“Dyshja këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse”, kishte bërë të ditur zyra e kancelarit.
Invazioni rus në Ukrainë tashmë është përshkallëzuar duke shkaktuar dëme kolosale në jetën e njerëzve të këtij vendi.