O’Brien: Shpresojmë se do të bëhet gjithçka që të themelohet Asociacioni

"Unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve”, ka deklaruar Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien duke iu referuar Asociacionit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, gjatë një ligjërate me studentë në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, 2 shkurt 2024.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Washingtoni pret që ky zotim të realizohet.

O’Brien tha se rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë në mënyrë që ata të kuptojnë se si do të duket jeta e tyre”.

“Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve”, tha zyrtari i lartë amerikan gjatë një konference për media në Beograd më 20 prill, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton REL.

Duke folur për rezolutën që pritet të miratohet në Kombet e Bashkuara për Srebrenicën, O’Brien tha se qëllimi është që të ketë partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër, për t’u përballur me të vërtetën.

Zyrtari amerikan tha se ka qenë avokat që ka punuar në hetimin e krimeve të luftës dhe ka qenë pjesë e ekipit të parë që ka hetuar vrasjet në Srebrenicë.

“Atëbotë, forcat e Qeverisë së Serbisë na garantuan ne sigurinë dhe më pas me ne ishin edhe përfaqësuesit e OKB-së teksa ne po kryenim punën për të vërtetën. Edhe sot e kësaj dite po e bëjmë këtë, dhe ne duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë dhe duhet të jemi partnerë edhe tani”, tha ai.

Nismëtarët e rezolutës së Srebrenicës janë Gjermania dhe Ruanada. ShBA-ja, Franca dhe shtetet e tjera më pas iu bashkuan këtyre dy shteteve si sponsorizues të rezolutës.

Pritet që rezoluta finale të paraqitet në fillim të majit.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, zyrtarët në Beograd mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës është kryer gjenocid. Në Srebrenicë u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti i tij dhe ShBA-ja pajtohen për pak gjëra, përveç që paqja dhe stabiliteti duhet të ruhen.

“Ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme që të ruhen paqja dhe stabiliteti. Nga ana serbe, premtoj që Serbia do të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se është “veçanërisht i shqetësuar” lidhur me rezolutën e OKB-së për Srebrenicën, duke theksuar se shteti i tij kundërshton “fuqishëm” miratimin e rezolutës.

“Sepse e dimë se çfarë nënkupton kjo dhe sa shumë do të jetë pengesë për raportet në rajon”, tha Vuçiq.

Ai tha se Serbia do të vazhdojë luftën që Kosova të mos pranohet në organizatën e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës javën e kaluar mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Çështja tani kalon në Këshillin e Ministrave, të cilët takohen në maj. Ky këshill është organi i fundit që vendos përfundimisht nëse një shtet bëhet anëtar i Këshillit të Evropës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika