Emri i Akil Gjakovës tani e tutje nuk do të njihet vetëm për shkak të profesionit të tij. Ai la lënë gjurmë edhe në organet e sigurisë, ku Policia e Kosovës ditë më parë kishte lëshuar një fletarrest për lokalizimin e tij.
Kjo pasi i njëjti, dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Nën dyshimin për dhunë në familje, Prokuroria Themelore e Pejës kërkoi 30 ditë paraburgim nën arsyetimin se i njëjti mund të rrezikoj të kryej prap të njëjtën vepër penale.
Por këtë kërkesë e mohoi Gjykata Themelore në Pejë e cila vendosi vetëm që xhudisti, e ka të ndaluar t’i afrohet bashkëshortes së tij në distancë prej 50 metrash.
Vendimi i cili ngjalli mjaft polemika, nuk qe fort i habitshëm për juristin, Valdet Hoxha.
“Paraburgimi në parim duhet të përcaktohet si masë e fundit dhe vetëm nëse është e domosdoshme për ta siguruar praninë e të pandehurit në procedurë. Në të kundërt, mund të kemi shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Valdet Hoxha, avokat.
Por jo të surprizuar nga masat, kanë rezultuar edhe aktivistët.
“Jam frikësu dhe frikat e mija kanë dal që gjykata ka me trajtu ndryshe për shkak të statusit social që ka ai dhe fatkeqsisht, qashtu dul që nuk ish dasht. Gjykata ish dasht me dhan një shmebull që secili njeri në vendin tonë trajtohet njësoj. Kam frikë ende që mund të eskaloj, qysh kemi pas raste n’vazhdimësi që janë dhënë këto raste me 50 m, e kemi pas raste që edhe janë vra gratë”, tha Neri Ferizi, aktiviste.
Akil Gjakova ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë.
Për të kishte reaguar edhe Federata e Xhudos e Kosovës e cila kishte thënë se Gjakova ndodhej jashtë vendit dhe se ai “do të dorëzohej menjëherë” te organet e rendit dhe të drejtësisë sapo të kthehej në Kosovë.