Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, në një deklarim për media ka thënë se detyrë e tyre ishte organizimi i këtij peticioni dhe organizimi i këtij procesi votues, ndërsa qytetarët e shprehin vullnetin e tyre përmes votimit.
“Detyrë e jona ka qenë që të bëjmë këtë peticion, me këtë mundësi qytetarët e shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i këtij procesi dhe besoj që gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi është shprehur se kjo e drejtë qytetarëve u garantohet përmes ligjit për vetëqeverisje lokale
“Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin për të mundësuar që qytetarët që duan t’i shprehin pakënaqësitë e tyre apo kërkesën e tyre për largimin e kryetarët nga funksioni, të bëjnë paraprakisht me një të drejtë që u garantohet përmes ligjit për vetëqeverisje lokale”, ka thënë ministri.
Ai është shprehur se nëse në këtë votim marrin pjesë 50 për qind e qytetarëve plus një, atëherë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në komunat ku do të ketë sukses.
“Nëse në këtë votim marrin pjesë 50 për qind e qytetarëve plus një dhe ata votojnë për largimin e kryetarëve, pastaj presidentja e vendit do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në komunat ku do të ketë sukses”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërsa për Listën Serbe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar se ata i shohin institucionet për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron që të ketë monopolin mbi politikën serbe në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët”, ka potencuar Krasniqi.
Kujtojmë që sot në katër komunat veriore të vendit votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në listën e qytetarëve me të drejtë vote janë 46 mijë e 556 votues.