Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se nuk do të dalë sot për të votuar, pasi, sipas tij, Lista Serbe e ka nisur këtë procedurë, andaj nuk e sheh të arsyeshme ta bëjë një gjë të tillë.
Në lidhje me procesin e sotëm, ai ka thënë se të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Zveçanit janë hapur me kohë dhe deri tani gjithçka është duke u zhvilluar normalisht.
Peci nuk ka dashur të komentojë mospjesëmarrjen e qytetarëve serbë në këto votime, ndërsa u shpreh i bindur se nëse do të kandidojë në zgjedhjet e ardhme, sërish do të fitojë.
“Në orën 7:00 të mëngjesit të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Zveçanit janë hapur. Deri tani, gjithçka është duke shkuar në rregull. Jo nuk kam votuar dhe nuk do të votoj për arsye se Lista Serbe e ka nisur këtë procedurë dhe nuk po e shoh të arsyeshme me dalë kundër vetes. Sigurisht që ata i kanë arsyet e veta dhe nuk kanë dalë. Çdoherë kur kam kandiduar, kam fituar. Shpresoj se nëse kandidoj prapë do të fitoj”, ka thënë kryetari i Komunës së Zveçanit. /KP