Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë se policia është e involvuar në planifikimin e procesit të votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.
Në pjesën e parë të ditës, sipas tij, nuk është vërejtur ndonjë problem gjatë ecurisë së këtij procesi.
Policia, siç thotë ai, nuk e ka paraparë mundësinë që e diela të jetë një ditë e tensionuar.
“Policia është e involvuar në planifikimin e ditës së referendumit të sotëm, që do të thotë edhe dje edhe sot ne jemi në vazhdimësi në bashkëpunim me KQZ-në. Mirëpo nuk kemi pa ndonjë problem që është duke ndodhur ose nuk kemi paraparë, nuk kemi inteligjencë e informatë nëse ka mundësi sot të jetë një ditë diçka më e tensionuar”- ka deklaruar Elshani.
Por, në rast nevoje, ai thotë se ka mjaftueshëm policë për t’i bërë reagimet e nevojshme.
“Policia me numrin e vet minimal është e angazhuar në këto votime, mirëpo në rast se ka nevojë ne kemi policë të mjaftueshëm që të bëjmë reagimet e nevojshme”- është shprehur Elshani./Kallxo.com