Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, të martën, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Muhaxheri i ka uruar mirëseardhje ambasadorit, Hovenier në Komunën e Pejës, i cili e ka falënderuar Muhaxherin për pritjen, duke theksuar se është hera e parë që ai viziton Komunën e Pejës.
Sipas njoftimit nga kryetari i komunës së Pejës, në këtë takim është biseduar për projektet e rëndësishme të Komunës së Pejës, partneritetin në mes të Ambasadës dhe Komunës së Pejës, bashkëpunimin, të cilin e kanë me USAID-in, sekretin e suksesit të qeverisjes së mirë, sfidat që ndodhin gjatë qeverisjes e shumë çështje të tjera.
Ndërsa, ambasada amerikane në Kosovë përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Ambasadori Hovenier sot ka viziuar Pejën ku është takuar me kryetarin e Komunës Gazmend Muhaxheri, si dhe ka vizituar Patrikanën e Pejës, OJQ “HUMAN”, “Green House Peja” dhe vullnetarë shumë të motivuar.
“Peja po tregon se si qeverisja lokale dhe shoqëria civile mund të punojnë së bashku për të krijuar një të ardhme më të ndritur, multietnike për Kosovën”, ka thënë Hovenier.