Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Faton Peci, e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, se është duke bllokuar ndërtimin e objektit të MBPZHR-së dhe kështu po mohon përftimin e 160 milionë eurove për bujqësinë.
Këto akuza i ka “përgënjeshtruar” vetë Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar.
“Përmes këtij reagimi, institucionet e Kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e Kryeqytetit për t’u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë. Më tutje, sqarojmë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kurse me deklarimin e Pecit se janë duke mbetur të “bllokuar me arsyet banale dhe fiktive të zyrtarëve komunal”, Rama është mbetur i habitur.
“Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit”, ka shtuar Rama.