Kryetari i Federatës, ka njoftuar se të gjitha biletat e kësaj ndeshje janë shitur, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën VIP.
Ademi, është shprehur se të gjithë blerësit e biletave kanë vërtetuar se Kombëtarja e Kosovës është dashuri e përjetshme dhe vlerë shtetërore, ku sipas tij duhet ta ruajmë dhe respektojmë në fitore, barazime dhe humbje.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kapaciteti aktual i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk i përmbush kërkesat për numrin e madh të të interesuarve, prandaj ndjejmë keqardhje që shumë qytetarë janë të shtrënguar që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet ekraneve televizive”, ka shkruar Kryetari i Federatës.
Rreth kapacitetit të stadiumit, Ademi ka shkruar se së bashku me Komunën e Prishtinës, do fillojnë projektin e zgjerimit të tribunës lindore, e cila do të mundësojë që në stadium të ketë një numër më të madh të tifozëve.
Gjithashtu ai është shprehur se “Futbolli është përplot emocion dhe i ka të tri rezultatet. Nganjëherë nuk e arrin dot objektivin gjatë 90 minutave lojë, por dëshira, vullneti dhe emocioni që na dhuron Kombëtarja jonë janë të jashtëzakonshme dhe ju dini t’i çmoni e vlerësoni ato. ”
Sipas tij edhe pse në ndeshjen e kaluar u dëshpëruam me humbjen nga Greqia, tifozët dëshmuan se dijnë të vlerësojnë djersën e djemve tanë, dëshirën dhe përkushtimin e tyre, për të dhënë më të mirën në fanellën e shenjtë të Kosovës.