Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq nëpërmjet telefonit.
Borrell ka njoftuar se thirrja është bërë nga ai, ndërsa është biseduar për punë të rëndësishme që po i presin përpara Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.
“Duam të llogarisim te Serbia si një kandidate e sinqertë dhe partnere e besueshme evropiane për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Called @predsednikrs Vucic. Important work for EU-Western Balkans ahead; want to count on Serbia as a sincere candidate & reliable European partner for common principles, values, security & prosperity. Also addressed regional issues & #BiH, incl importance of upcoming elections.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 7, 2022
Ai ka shtuar se në këtë bisedë janë trajtuar edhe çështjet rajonale, duke përfshirë Bosnjë-Hercegovinën dhe zgjedhjet e ardhshme në këtë vend.
Kjo bisedë midis Borrellit dhe Vuçiqit u zhvillua derisa presidenti serb po merr pjesë në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Vuçiq, pas arritjes në Ohër ka thënë se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.
Përveç presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.