Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias do të qëndrojë të mërkurën për vizitë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, ministri grek do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh, edhe nga Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe Kryenegociator në Dialogun Prishtinë-Beograd, Besnik Bislimi.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë pritet të ketë një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare në Prishtinë (UNMIK, Këshilli i Evropës, OSBE, EULEX, Zyra e BE/EUSR, KFOR-i dhe ambasadorët nga vendet e Quintit, përkatësisht Franca, Gjermania, MB, SHBA dhe Italia.
Në fund, sipas njoftimit, ministri Dendias do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Albin Kurti dhe më pas do të ketë edhe një darkë.
Diskutimet që priten të jenë në qendër gjatë vizitës janë ato të bashkëpunimit ndërmjet Athinës dhe Prishtinës në fusha të ndryshme, si në ekonomi, energji, kulturë, shkencë, shëndetësi, arsim dhe turizëm.
“Gjithashtu, në agjendën e bisedimeve do të jetë edhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimet në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, është paraparë një takim i përbashkët mes ministrit grek Dendias, ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci dhe ministrit të MKRS, Hajrulla Çeku.
Ministri i Punëve të Jashtme kishte takuar Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz (e cila do të mungojë nesër), në Forumin Ekonomik Delphi VII (në prill), pas vizitës së saj në Athinë, në janar.
Nikos Dendias kishte vizituar Prishtinën në tetor të vitit 2020 dhe së fundmi, në qershor 2021.