Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të re plenare, ku përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend dite është votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i disa të tjerave.
Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka dështuar disa herë radhazi si pasojë e mungesës së konsensusit pushtet – opozitë.
Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ministrat disa herë kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.
Kuvendi në seancën e së enjtes do të shqyrtojë në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore si dhe Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të emërojë një anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Seanca do të nisë në orën 10:00.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
8. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
12. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,
16. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
19. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022,
20. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.