Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – ka thënë të shtunën se është duke e shqyrtuar një propozim të ri të Izraelit për armëpushim në Gazë.
Egjipti i ka rritur përpjekjet për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës disamujore dhe për ta parandaluar një pushtim të mundshëm tokësor të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nga Izraeli.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya, tha se grupi militant është duke e vlerësuar propozimin e Izraelit dhe “sapo ta përfundojë shqyrtimin, do ta dorëzojë përgjigjen”.
Ai nuk dha hollësi rreth ofertës së Izraelit, por tha se ajo ishte përgjigje ndaj një propozimi që Hamasi e kishte bërë dy javë më parë. Në fillim të këtij muaji u bisedua mes palëve për një armëpushim gjashtëjavor dhe për lirimin e 40 pengjeve civile dhe të sëmurë, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Deklarata e Hamasit vjen pak orë pasi një delegacion egjiptian i nivelit të lartë e kreu një vizitë në Izrael, ku u bisedua për “një vizion të ri” për një armëpushim në Gazë, sipas një zyrtari egjiptian, i cili foli në kushte anonime.
Derisa lufta po vazhdon dhe numri i viktimave po rritet, Hamasi dhe Izraeli janë duke u përballur me trysni ndërkombëtare për ta arritur një marrëveshje për një armëpushim dhe për ta parandaluar një ofensivë të mundshme izraelite në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë e Gazës prej 2.3 milionë banorësh ka kërkuar strehim nga luftimet në pjesët e tjera të territorit.
Izraeli ka muaj që ngul këmbë se po planifikon ta kryejë një ofensivë tokësore në Rafah, i cili ndodhet në kufi me Egjiptin. Zyrtarët izraelitë thonë se shumë luftëtarët të Hamasit ndodhen në këtë qytet.
Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë aleatja e tij e madhe SHBA-ja, i kanë bërë thirrje Izraelit të mos e pushtojë Rafahun. Por, Izraeli i ka mbledhur dhjetëra tanke dhe autoblinda në jug të Izraelit, në afërsi të Rafahut dhe kryen sulme ajrore pothuajse çdo ditë në këtë qytet.
Të shtunën në mëngjesin u vranë gjashtë njerëz, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm ajror izraelit në Rafah, thanë zyrtarët e një spitali lokal.
Ndërkohë, Hamasi ka thënë se nuk do të heqë dorë nga kërkesat e veta për një armëpushim të përhershëm dhe për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.
Izraeli i ka hedhur poshtë këto kërkesa.
Izraeli thotë se do t’i vazhdojë sulmet ushtarake derisa ta mposhtë Hamasin dhe se do ta vazhdojë praninë ushtarake në Gazë edhe pas luftës.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.
Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. /REL