Dritan Abazoviq, ka thënë se duhet të ketë një të ardhme më të mirë të bazuar në zhvillimin ekonomik, gjersa ka thënë se nismat e reja në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, do ta kenë patjetër mbështetjen e Malit të Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq, po merr pjesë për herë të parë në takimet e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ndoënse prania e tij në këto takime është thënë se është në cilësinë e vëzhguesit, Abazoviq ka mbajtur një fjalim gjatë këtij samiti.
Tutje, ai ka thënë se hapi i parë është që të ketë marrëdhënie të mira dhe dialog duke mos anashkaluar as faktin se politika e së kaluarës ka qenë politikë e konfliktit dhe nuk ka sjellë asgjë të mirë.
“Kjo shpie drejt asaj që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri dhe së bashku të krijojmë klimë të progresit në rajon. Politikat e fundit, politikat e theksimit të konflikteve të vazhdueshme na kanë mbajtur këtu ku jemi tani. Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Kur kemi liderë të Ballkanit Perëndimor që flasin kundër njëri-tjetrit, atëherë na mban sa më larg BE-së. Kur të jemi këtu gjashtë persona, atëherë mesazhi drejt BE-së do të jetë ndryshe”, ka thënë Abazoviq.
Sipas Abazoviq, nuk ka rëndësi se kush është në pozitë më të mirë integrimi, pasi ideja e të gjithë liderëve është të bëjnë sa më shumë për qytetarët e tyre.
Të mërkurën e tetë qershorit, nismëtarët e iniciativës “Ballkani i Hapur”, u takuan në Ohër me fillim nga ora 10:00.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës./PortaliD/