Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të cilit i ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, në përputhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare.
Po ashtu, Kurti ia ka rikonfirmuar kancelarit gjerman angazhimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë me Serbinë.
“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në X.
In a call w/ @Bundeskanzler Scholz I expressed gratitude for 🇩🇪's steadfast support for 🇽🇰 and underscored the hope that 🇩🇪 will support our @coe bid in alignment with PACE recommendations. I also reaffirmed our commitment for full implementation of the Basic Agreement.
— Albin Kurti (@albinkurti) April 29, 2024
Për këtë telefonatë ka njoftuar edhe zyra e Kryeministrit, ku thuhet se temat kryesore të takimit ishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.
Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Edhe para disa ditësh, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte telefonuar kryeministrin Kurti, të cilit ia kishte përmendur rëndësinë e zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicës serbe në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Kështu ishte njoftuar nga Presidenca franceze, ku thuhet se Macron ia ka rikujtuar Kurtit mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër. Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’’, thuhet në njoftim.