Zëvendësministri në MAPL, Arbër Vokrri, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk bënë dallimin në mes të kryetarëve në veri.
Ai në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini ka thënë se Qeveria ka ndarë fonde shtesë për t’i ndihmuar këto komuna në shërbim të qytetarëve.
Ndërkaq, Vokrri njoftoi se edhe kryetarët e PDK-së tashmë po vendosen nëpër zyrat e tyre.
“Kjo po ndodhë, ka pasur një vonesë për arsye mbase e din shumica e publikut, kryesisht ka qenë në kohët e fundit të natyrës teknike administrative më shumë se sa të natyrës politike. Për një pjesë të publikut te ne por edhe te faktorit ndërkombëtar është nevojitur një qartësi shtesë se qytetarët serbë janë të interesuar që të integrohen dhe kjo u dëshmua edhe me abstenimin që e pati iniciuar Lista Serbe, ai dështoi dhe tani gjithçka është e qartë. Këto komuna do të konsolidohen deri në funksionalizim të plotë dhe kryetarët aktualë do ta vazhdojnë mandatin e tyre deri në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta”, tha ai.
“Nuk ka ndonjë dallim në interesimin e Qeverisë për t’i ndihmuar këta kryetarë dhe këto komuna. Nuk kemi qasje diskriminuese apo dallim në mes të komunave që udhëhiqen nga kryetarët e LVV-së në krahasim me dy kryetarët e PDK-së”, shtoi Vokrri.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka nisur punën në objektin e Komunës në Zveçan.
Deri më tani, Peci e ka kryer detyrën e kryetarit nga një zyrë alternative.