Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, për të cilin kishte urdhërarrest ndërkombëtar.
Sipas një komunikate për media nga Policia e Kosovës thuhet se ai ka qenë në kërkim për veprën penale “trafikim më narkotikë”.
“Policia e Kosovës, konkretisht njësiti ILECU-FAST KOSOVA, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, ka arritur të arrestoj një person me urdhërarrest ndërkombëtar. Më datë 29.04.2024 në qytetin e Ferizajt, ky njësit në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Narkotik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë-Ferizaj pas një pune intensive në terren, ka arritur të lokalizoj dhe arrestoj një shtetas nga Maqedonia e Veriut me inicialet A.H., (viti i lindjes 1983) i shpallur në kërkim ndërkombëtar të INTERPOL-it për veprën penale “trafikim me narkotikë’”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se me urdhër të prokurorit kompetent, ndaj të arrestuarit thuhet se do të aplikohen procedurat e parapara për këto raste, deri në ekstradimin e tij.