Të ngjeshur e ka pasur agjendën kryeministri Albin Kurti të martën, një ditë pas telefonatës së rëndësishme që pati me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Por, shefi i Qeverisë nuk deshi të deklarohej rreth qartësimit, tani edhe publik, të qëndrimit gjerman se nevojitet nisja e procedurave për themelimin e Asociacionit para votimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Po shkojmë në ndërtesë që t’i shohim kushtet…”, thotë arsyetimin e parë Kurti.
Për këtë, gazetarët tentuan dy herë të marrin një qëndrim nga Kurti gjatë një aktiviteti të tij në Graçanicë.
“Duhet të shkojmë tash, e kemi lënë bashkë me këta që i kanë marrë çelësat të takohemi te ajo qendra”, thotë arsyetimin e dytë Kurti.
Pas telefonatës mes Scholzit dhe Kurtit, kabineti i kancelarit gjerman deklaroi se ai ia theksoi kryeministrit kosovar rëndësinë e hapave konkret drejt Asociacionit për anëtarësimin e në KiE.
Por, Arber Rexhaj që është deputet nga partia e Kurtit, thotë se Kosova nuk mund ta nisë themelimin e Asociacionit, sepse sipas tij, problemi qëndron te Serbia e cila po e shkelë vazhdimisht marrëveshjen bazike.
“Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës për Kosovën ka mbaruar, Kosova veç është anëtarësuar. Pse po e them këtë? Sepse kur ti e kalon Asamblenë Kombëtare mund të mos thirret një mbledhje e Komitetit të Ministrave, mirëpo në 100 për qind të rasteve, Komiteti i Ministrave ka vendosur njëjtë siç ka vendosur Asambleja Kombëtare. Mund të pretendoj ndonjë vonim, por Kosova do të anëtarësohet. (Nën pyetje: Edhe pa nisur procedurat që po kërkohen për Asociacionin? Absolut”, ka thënë Rexhaj.
Por mendim krejtësisht tjetër ka deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Ajo thotë se tashmë është i qartë kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin.
“Duke u nisur nga e kaluara ku e dini se sa herë ka kaluar procesi i liberalizimit të vizve në Parlamentin Evropian dhe nuk ka kalu në Këshill, kjo do të duhet të jetë shqetësuese për ta, duhet të punojnë më shumë. I pamë dy shtetet mike të Kosovës që po i referohen që kryeministri Kurti ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, po shihet se tanimë është kusht Asociacioni”, ka thënë Krasniqi.
Presioni ndërkombëtar për Asociacionin është rritur ndaj Kosovës pak para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në KiE, që mbahet në mes të majit.
Qëndrim të ngjashëm si Gjermania ka shfaqur edhe Franca.
Kurse, hapat e Qeverisë deri në atë kohë janë vlerësuar si përcaktues për futjen apo jo në rend dite të aplikimit të Kosovës sivjet.