Më 1 maj, Bashkimi Evropian (BE) shënon 20-vjetorin e zgjerimit më të madh të bllokut në histori.
Me këtë rast, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se Ballkani Perëndimor ka një mundësi historike për të lidhur të ardhmen me BE-në.
Kryediplomati evropian ka thënë se 20 vjet më parë, BE-ja pranoi 10 shtete në hapin më të madh të asaj që njihet si ribashkim evropian, dhe pas disa dekadash ndarjeje që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo ishte vala më e madhe e zgjerimit të këtij blloku.
“Megjithatë, puna jonë e ribashkimit të kontinentit nuk është kompletuar. Para 2022-s dhe e dimë edhe më mirë sot, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Viteve të fundit, miliona evropianë kanë treguar vullnetin dhe shpresën për t’iu bashkuar projektit të BE-së. Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia kanë dritare historike të mundësisë që të lidhin fuqishëm të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së është politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë, duke i rritur standardet e jetesës së evropianëve”, ka deklaruar Borrell.
Tutje, Borrell ka shtuar se BE-ja po punon edhe në reformimin e vetvetes dhe se synon Bashkim më të madh, por edhe më të fuqishëm, duke theksuar se “shtetet kandidate dhe Bashkimi Evropian kanë shansin historik ta ndërtojnë një Bashkim Evropian më të madh, më të thellë e më të fortë”.
Bashkimi Evropian e ka shënuar këtë përvjetor me disa ngjarje dhe me përsëritjen e zotimeve që procesi i zgjerimit të vazhdohet, pasi është një prej proceseve më të suksesshme që ka kaluar BE-ja në historinë e saj.
Në këtë përvjetor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë komplet pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përmendur procesin e tashëm të zgjerimit si vazhdim i suksesit që kishte ndodhur në vitin 2004, kur në bllok u anëtarësuan dhjetë vende të reja.
Ajo ka thënë se tash kur shikohet në retrospektivë, se ku ishte BE-ja dhe ku ishin ato vende para 20 vjetësh, mund të thuhet se ky zgjerim solli dobi për të gjithë. Vendet që në atë kohë u pranuan në BE përjetuan një periudhë të madhe të zhvillimit, të lëvizjes së lirë dhe mirëqenies. Por, edhe vendet e vjetra anëtare patën përfitime pasi për to u hap një treg i ri, po ashtu.
Von der Leyen në një prej fjalimeve kushtuar 20-vjetorit të zgjerimit të madh të BE-së, përmendi edhe një deklaratë të paraardhësit të saj nga ajo kohë, ish-presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian, Romano Prodi, i cili pati thënë se “kjo valë e madhe e zgjerimit nuk duhet të jetë e fundit”.
Në 20-vjetorin e zgjerimit të madh, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka përsëritur thirrjet që edhe BE-ja të kryejë reformat për të pranuar anëtarë të rinj, edhe vendet që aspirojnë anëtarësimin ta kryejnë pjesën e tyre të punës duke i përmbushur kriteret që kërkohen për anëtarësim, raporton Rel.
Ai përsëriti se beson që deri në vitin 2030, edhe BE-ja, edhe vendet kandidate, duhet të jenë gati për zgjerim.
Përderisa për BE-në, Michel tha se duhet t’i përmbyllë reformat institucionale dhe të sigurojë kornizën financiare për zgjerim, vendet që synojnë anëtarësimin duhet t’i zgjidhin mospajtimet e tyre bilaterale.
Liderët e BE-së vazhdojnë të besojnë se vazhdimi i zgjerimit është në dobi të forcimit të BE-së dhe rritjes së rolit të saj në skenën botërore. Prandaj, zgjerimi shihet edhe si një investim në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë kontinentin evropian, por edhe në përballje me sfidat që paraqesin rrethanat e reja gjeopolitike në botë.
Në pritje të vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe kërkesave që ky proces të përshpejtohet, BE-ja është duke shqyrtuar mundësitë që vendet kandidate t’i përfshijë në disa politika dhe programe të bllokut edhe para se ato të bëhen vende anëtare formalisht. Por, në të njëjtën kohë, zyrtarët e BE-së zotohen se këto aranzhime nuk do të jenë zëvendësim për anëtarësim formal në BE që mbetet synimi përfundimtar i procesit të zgjerimit.