Partia për Veprim Demokratik ka përfunduar një proces të brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale të përcaktuara për 2 qershor.
Deputeti Shaip Kamberi ka bërë të ditur se për komunën e Preshevës kandidate për kryetare është Ardita Sinani, ndërsa për komunën e Bujanocit, Ragmi Mustafi.
“Për komunën e Preshevës, pas një vlerësimi të kujdesshëm të aftësive dhe angazhimeve të mundshme të kandidatëve, partia ka zgjedhur Ardita Sinanin për të kandiduar për kryetare të komunës. Ardita Sinani është një figurë e njohur për angazhimin e saj në fushën e zhvillimit social, edukimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve në disa fusha të rëndësishme. Përfaqësimi i saj do të sjellë drejtim të ri dhe të energjishëm për të adresuar sfidat dhe të arriturat e komunës së Preshevës,” ka shkruar Kamberi.
“Në të njëjtën kohë për komunën e Bujanocit, pas një procesi të ngjashëm të vlerësimit të kandidatëve, Partia për Veprim Demokratik ka vendosur që listës t’i prijë nga Ragmi Mustafi. Mustafi është një personalitet i njohur në komunën e Bujanocit për angazhimin e tij të gjatë dhe të palodhur në shërbim të zhvillimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve të kësaj komune.”
Ragmi Mustafi është kandidat i Partisë për Veprim Demokratik për kryetar të Komunës së Bujanocit.
Mustafi e ka konfirmuar se ka këtë të mërkurë ka pranuar nominim për zgjedhjet lokale të 2 qershorit.
“Karrierën time politike e kam fillu si shumë i ri, me ëndrrën e madhe, t’i shërbej shqiptarëve të Luginës së Preshevës në përgjithësi e Komunës së Bujanocit në veçanti! Besimin që më dha, fillimisht kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, kryetarit Kuvendit Enver Ramadani, kryesia e antarësia e partisë me të cilën u rritëm të gjithë, që pas udhëheqjes më Këshillin Kombëtar Shqiptar të marrim #Bashkë udhëheqjen e Komunës së Bujanocit është ndër privilegjet më të mëdha të jetës sime, andaj FALEMINDERIT”, shkruan Mustafi.
Po ashtu, problemet e sfidat e komunës, Mustafi ka shkruar se me përkushtim do t’i kalojnë.
“Të nderuar bashkëqytetarë të komunës së Bujanocit, sfidat janë të shumta, problemet e mëdha me të cilat komuna jonë vazhdon të ballafaqohet. Ama, jam i bindur se bashkë e me përkushtim, do të ngadhnjejmë, që fitorja jonë e 2 qershorit te jetë e madhe, e të fillojë një epokë e re, plotë zhvillim e angazhim në përmirësimin e situatës politike, sociale e ekonomike në Bujanoc”.
Mustafi ka bërë thirrje për mobilizim masiv të shqiptarëve, duke thënë se deri më 2 qershor çdo ditë do të jetë ditë zgjedhjesh.
Gjithashtu po nga kjo parti (Veprimi Demokratik për Integrim) edhe këshilltarja Politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani ka thënë se zgjedhjet lokale janë shansi për të rikthyer pushtetin te qytetarët që sipas saj kanë vuajtur nën sundimin e “një autoriteti të korruptuar.”
“Sot, në këtë moment vendimtar për të ardhmen e Preshevës, ne si Degë e Partisë për Veprim Demokratik mbajtëm një mbledhje të rëndësishme dhe plotësuese. Zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme po afrohen dhe kjo është shansi ynë për të rikthyer pushtetin te qytetarët, të cilët për shumë vite kanë vuajtur nën sundimin e një autoriteti të korruptuar. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo nuk është thjesht një garë për pushtet lokal, por është një shans për të ndryshuar jetën e komunitetit tonë për më mirë,” ka shkruar Sinani.
Ajo ka bërë thirrje për mobilizim masiv dhe të përkushtuar.
“Ne duhet të jemi të bashkuar në të gjitha nivelet e shoqërisë nga bazat e strukturave të Partisë deri te qytetarët nëpër rrugë. Duhet të jemi të vendosur dhe të përgatitur për të bërë gjithçka është e nevojshme për të siguruar një fitore të qëndrueshme dhe bindëse të Partisë për Veprim Demokratik,” shkruan Sinani.
E po ashtu, sipas Sinanit, qëllim do të jetë sjellja e një ndryshimi për Preshevën.
“Nga nesër, çdo ditë deri në ditën e zgjedhjeve, duhet të punojmë me përkushtim dhe pasion për qëllimin tonë të përbashkët. Të gjithë së bashku, me një synim dhe një frymë, për të sjellë një ndryshim të vërtetë në Preshevë. Fitorja jonë nuk është vetëm detyrë, por është detyrë e shenjtë për të cilën duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë dhe të punojmë me të gjitha fuqitë tona.”