Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një video pas dorëzimit të 34 apartamenteve të reja në Suhadoll të Komunës së Graçanicës.
“34 apartamente të reja për 83 banorë të rinj dhe mundësi të reja për familjet e tyre në Suhadoll të Komunës së Graçanicës”, njoftoi ai.
Në Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, të cilën qeveria e miratoi katër muaj më parë, kryeministri Kurti thotë se ishin zotuar për mbylljen e qendrave kolektive dhe zëvendësimin e tyre me hapësira të reja banimi sikurse këto që u përuruan dje.
“Duke u ofruar kështu një jetesë më të mirë dhe vendbanim afatgjatë bashkëqytetarëve tanë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Jemi krenarë me kontributin tonë përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka siguruar bashkëfinancimin në këtë projekt, por edhe mirënjohës për partnerët tanë, pa të cilët nuk do të arrihej ajo që dje e festuam. Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm financiar. Komuna e Graçanicës ka dhuruar tokën dhe ka ndihmuar në projektimin e hapësirave komunale dhe zonave rekreative. UNHCR-ja dhe partneri i tyre zbatues, Advancing Together, i kanë mbështetur të gjithë këto familje përmes vlerësimit dhe përzgjedhjes dhe Këshilli Danez për Refugjatët e ka bashkërenduar procesin gjatë gjithë kohës”.
“Ky lloj partneriteti – ndërmjet qeverisë qendrore, qeverisjes lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile – është ajo çfarë i bën komunitetet e suksesshme dhe të qëndrueshme”, shkroi Kurti në Facebook.