Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorët e martirët që kanë rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, janë kujtesa e përhershme dhe themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës në nderim të rënies së tyre, Osmani ka thënë se kauza e Ilaz Kodrës ishte liria, ndaj ai ra për liri e shtet.
Sipas Osmanit, luftëtari nuk kthehet në shtëpi, por përjetësohet për liri njësoj si Ilaz Kodra.
“Bashkëluftëtari Ilaz Kodra në përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile dhe mbrojtje të Kosovës ra heorikisht me 42 luftëtarë, ndoqi idealin e Adem Jasharit, duke e konsideruar lirinë, si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij ndaj dhe u përjetësua, ëndrrën për liri e kishte farkëtuar qysh herët, qysh në rini ishte angazhuar për liri e shtet si patriot i devotshëm u shndërrua në dorë të djathtë për Adem Jasharin, zhvilluan trajnime në Shqipëri për të mbrojtur atdheun. Kauza e tij ishte liria, ndaj ai ra për liri e shtet, thuhet se luftëtari nuk kthehet në shtëpi, por përjetësohet për liri. Edhe Ilazi nuk u kthye në shtëpinë e tij, por Kosova e lirë dhe e pavarur mbeti shtëpia e tij e përhershme për të cilën dha jetën. Heronjtë sikur ai dhe dëshmorët e UÇK-së që ranë janë më shumë se shtatore bronz, janë kujtesa jonë e përhershme, themeli mbi të cilat është ndërtuar shteti jonë, na kujtojnë idealet më të larta”, ka deklaruar Osmani.
Kjo seancë ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtar të Filharmonisë së Kosovës.
Më 30.04.2024 janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i në betejat e zhvilluara në Drenicë dhe rrethinë.
Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme në Skënderaj.
Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra ishte caktuar komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci. Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra ishte nisur për t i shkuar në ndihmë popullatës. Herët në mëngjes kishte filluar sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra kishte luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe.
Ai kishte rënë në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë. Në vitin 2012 ishte zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.