Blinken largohet nga Izraeli, nuk ka njoftime për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tashmë ka përfunduar udhëtimin në Lindjen e Mesme, ndërkohë që nuk ka njoftime për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përfundoi një udhëtim në Lindjen e Mesme, ndërkohë që nuk ka njoftime për një armëpushim apo marrëveshje për pengjet mes Izraelit dhe Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, kryeministri Benjamin Netanyahu i tha Blinken-it gjatë takimit të mërkurën se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që kushtëzonte lirimin e pengjeve me përfundimin e luftës në Gazë.
Kryeministri izraelit i tha sekretarit Blinken se operacioni i planifikuar në qytetin Rafah do të vazhdojë me ose pa arritjen e një armëpushimi.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u takua të mërkurën në Tel Aviv me të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve izraelitë që ende mbahen nga Hamasi, një grup militant që cilësohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Blinken e ka vizituar rajonin shtatë herë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit të nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ai po synon arritjen e një armëpushimi që do të çonte në lirimin e pengjeve dhe do të sillte një pauzë të luftës që ka lënë të vrarë rreth 35,000 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi.

Kryediplomati amerikan dhe shefi i ushtrisë izraelite vizituan të mërkurën kalimin “Kerem Shalom” në kufi me Gazën. Blinken tha se Izraeli kishte bërë lëshime të dukshme për të lejuar më shumë ndihma për palestinezët dhe arritjen e një armëpushimi. Ai tha se bota po pret që Hamasi ta pranojë marrëveshjen e ofruar.

“Hamasi duhet të vendosë nëse do ta pranojë këtë marrëveshje dhe të përmirësojë situatën për njerëzit në Gaza, për të cilët pretendon se kujdeset. Nuk ka kohë për vonesa”, tha Blinken.

Por Blinken i dha fund turneut në Izrael, Jordani dhe Arabinë Saudite pa njoftime për një armëpushim.

Vëzhguesit kanë pritur arritjen e një marrëveshje më të gjerë, që do të përfshinte normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, ndoshta në këmbim të një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Gazë.

Kryeministri Netanyahu tha se nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës për të arritur një marrëveshje për pengjet. Ai tha se sulmi i planifikuar ndaj qytetit Rafah, ku po strehohen të paktën 1 milion palestinezë, do të kryhet pavarësisht arritjes së një armëpushimi apo jo. Analisti Brian Katulis i tha Zërit të Amerikës se Blinken nuk ka qenë në gjendje të bëjë përparime.

“Pengesa e vërtetë janë zërat brenda qeverisë së kryeministrit Netanyahu, që kundërshtojnë fuqishëm një shtet palestinez. Sauditët e kanë bërë të qartë se duan të shohin sa më parë arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe angazhimin drejt ndërtimit të një shteti palestinez”.

Analisti Katulis tha se ishte në Arabinë Saudite javën e kaluar dhe se ka pasur shumë përparime për një marrëveshje ushtarake apo marrëveshje të tjera dypalëshe midis Uashingtonit dhe Riadit, por jo për një marrëveshje më të gjerë me Izraelin. /VoA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika