Një shofer i autobusit ka bërë tejkalimin në vijë të plotë të një veture dhe se ndaj tij policia ka shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej 200 eurosh, dy pikë negative dhe për tre muaj masë mbrojtëse – heqje e patentë shoferit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se kjo informatë është dërguar nga një qytetar me fotografi, duke bërë të ditur se rasti ka ndodhur në Ferizaj.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacion, të mos bëjnë tejkalim në vijë të plotë. Ndërsa, falënderojmë qytetarët që po bashkëpunojnë me ne dhe inkurajojmë të tjerët që të bashkëpunojnë më policinë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Më tej, për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, policia ka ftuar qytetarët t’i njoftojnë menjëherë, duke u siguruar që të dhënat e tyre do të ruhen në konfidencialitet të plotë.