Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.
Në raportin e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.
Në këtë raport, përmendet edhe se Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK duke e emëruar një person në këtë pozitë, i cili cilësohet si një aleat i afërt me partinë në pushtet, VV.
Nuk është përjashtuar as rasti i mediumit Klan Kosova, për të cilin, është vlerësuar se ka qenë cak i sulmeve administrative nga Qeveria e Kosovës.
“Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova, ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Përveç këtyre gjetjeve, në raport shkruan që është rritur numri i Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, të njohur si paditë SLAPP.
Një tjetër çështje që është cekur në raport është se në praktikë, ligji për të drejtën e autorit nuk respektohet dhe qasja në informacion kërcënohet nga një projektligj drakonian për rregullimin e medias dhe nga procedurat e nisura kundër një operatori telekomunikacioni.
Megjithatë vlerësohet se edhe pse asnjë gazetar nuk është vrarë në Kosovë që nga vitit 2005, mirëpo të njëjtit kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre. Sipas raportit, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë po ndiqen penalisht edhe pse po hetohen nga institucionet përkatëse të drejtësisë. Këto sulme thuhet se janë rritur sidomos gjatë tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë në maj të vitit 2023, gjatë raportimit në veri të vendit.